Strategjitë e publikimit
Këshilli i Sigurimit të Cilësisë i SHLPB, më 17 tetor 2014, me pjesëmarrjen e stafit akademik organizoi seminarin me temë: "Strategjitë e publikimit".
Seminari ishte hartuar për të pasqyruar një udhëzues hap pas hapi nga momenti i përzgjedhjes së temës deri në publikimin e një artikulli shkencore në revista me faktor të lartë ndikimi dhe u drejtua nga Associate Prof. Dr. Ahmet Ecirli.
Profesori diskutoi në detaje të gjitha fazat të cilat duhet të kalojë një studiues për publikimin e një artikulli, duke filluar me hulumtim për identifikimin e temës më të përshtatshme, përfshirë këtu identifikimin e titullit, hartimin e abstraktit dhe identifikimin e fjalëve të duhura kyçe.
Hulumtimi i literaturës dhe metodologjia janë diskutuar në detaje, duke i dhënë pjesëmarrësve informacion të gjerë e të rëndësishëm, lidhur me fushat në të cilat duhet të përqendrohen, si dhe gabimet që duhen shmangur gjatë procesit. Theksi u vu gjithashtu në aspektet e ndryshme që duhet të kenë pjesa e rezultateve dhe pjesa e diskutimeve dhe konkluzioneve, ku pjesa e parë duhet të përfshijë vetëm gjetjet origjinale dhe individuale të punës kërkimore, ndërsa interpretimi dhe krahasimi i rezultateve, si një proces për vlerësimin e hipotezës fillestare ose hapjen e një perspektivë të re kërkimore, duhet të jenë, në mënyrë të pagabueshme, pjesë e konkluzioneve.
Një aspekt tjetër me rëndësi të veçantë që profesori përmendi, ishte mënyra e duhur për paraqitjen e shifrave, tabelave dhe grafikëve në një material cilësor.
Rëndësi e madhe iu dha nga profesori dhe përdorimit dhe verifikimit të referencave dhe më e rëndësishmja, përdorimit të referencave të rëndësishme dhe të besueshme që janë një aspekt i rëndësishëm i përshtatshmërisë për botuesit.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të diskutojë në lidhje me teknikat e mundshme dhe strategjitë e përdorura për të siguruar botimin e artikujve dhe studimeve në revista me faktor ndikimi.
Seminari u ndoq me interes dhe u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit si për mënyrën e konceptimit, ashtu dhe për rëndësinë dhe tërësinë e informacionit të dhënë.