"Strategjitë e Kërkimit në Shkenca Sociale & Zhvillimin e Projekteve"

Këshilli i Sigurimit të Cilësisë së SHLP “Hëna e Plotë” (Bedër), me pjesëmarrjen e stafit akademik, organizoi në datë 13 tetor 2014, seminarin me temë "Strategjitë e Kërkimit në Shkenca Sociale & Zhvillimi i Projekteve ".

Seminari u drejtua nga Associate. Prof. Dr. Bekir Cinar. Seminari u përqendrua në strategjitë kërkimore si pjesë e jetës së përditshme të stafit akademik, ku një vëmendje e vecantë iu kushtua strategjive efektive për arritjen e ekuilibrit mes tre aspekteve kryesore të punës së stafit akademik, respektivisht mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe shërbimi. Në këtë aspekt u diskutuan në mënyrë të detajuar dhjetë strategjitë më të rendësishme, duke u dhënë pjesëmarrësve një kuptim më të plotë mbi rëndësinë e këtij ekuilibri, si një pikë kyce për një administrim më të mirë të kohës dhe aftësive në plotësim të objektivave të caktuara.

Lektori u përqendrua gjithashtu në sfidat në gjetjen e fushave dhe tematikës së kërkimit, në mënyrë të vecantë në shkencat sociale. Në këtë kuadër, gjatë seminarit u përcoll informacion i zgjeruar lidhur me strategjitë të cilat kanë provuar të jenë të efektshme në përzgjedhjen e temave të kërkimit, në fusha të cilat i shërbejnë komunitetit dhe ofrojnë mundësi financimi. Në seminar u diskutua në mënyrë të detajuar dhe udhërrëfyesi me hapa të njëpasnjëshëm për kërkuesit, si dhe u shpërnda për pjesëmarrësit një paketë e plotë materialesh referuese.

Tema e tretë e mbuluar gjatë këtij seminari, ishte zhvillimi i projekteve. Lektori ofroi informacion të hollësishëm mbi kategoritë kryesore të projekteve, konkretisht, ndërkombëtare, lokale dhe rajonale. U theksuan fazat e zhvillimit të projektit dhe strategjitë për sigurimin e fondeve për projektet e propozuara. Lidhur me këtë fakt, një program me vlerë të vecantë i cili ofron mundësi financimi në fushën e kërkimit në të gjithë nivelet, është programi i BE Horizon2020. Lektori u përqendrua gjithashtu dhe në udhërrëfyesin praktik mbi strategjitë e publikimit të punëve kërkimore në revista me fushë të gjerë ndikimi, një pikë kyce për sigurimin e suksesit të një punë kërkimore.

Seminari u ndoq nga stafi akademik i SHLPB, i cili e vlerësoi atë pozitivisht.