"Metodat e mësimdhënies në universitet"
Këshilli i Sigurimit të Cilësisë i SHLPB, me pjesëmarrjen e stafit akademik, organizoi më 24 tetor 2014 seminarin me temë: "Strategjitë e mësimdhënies".
Seminari u drejtua nga Assist. Prof. Dr. Arban Uka dhe kishte synim njohjen dhe diskutimin me pjesëmarrësit mbi çfarë dhe si duhet mësuar në institucionet e arsimit të lartë.
Profesori hodhi së pari në diskutim pyetje të rëndësishme me të cilat përballet çdo profesionist i arsimit të lartë, si përkufizimi i shkencës, përkufizimi i klasikes, cila filozofi është më efektive, çfarë prodhon secili nga departamentet e institucionit të arsimit të lartë, pyetje të cilat u shtruan për diskutim midis pjesëmarrësve dhe morën përgjigje gjatë zhvillimit të seminarit.
Çështjet që u ndoqën me më shumë interes nga të pranishmit ishin pikërisht teknikat e përdorura për një mësimdhënie sa më të mirë.
Në këtë kuadër pjesëmarrësit ndoqën me interes katër filozofitë kryesore në fushën e arsimit, përkatësisht “Perennialism, Essentialism, Progressivism dhe Reconstructionism”, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen dhe të debatojnë, lidhur me specifikat e secilës prej tyre, si dhe qasjen e vendeve të ndryshme dhe sistemit të tyre arsimore ndaj secilës prej filozofive të përmendura.
Seminari u ndoq me interes dhe u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit për rëndësinë dhe tërësinë e informacionit të dhënë.