Përgatitja e planit strategjik dhe udhëheqjes së tezës
Këshilli i Sigurimit të Cilësisë së SHLP “Hëna e Plotë” (Bedër), me pjesëmarrjen e stafit akademik, organizoi më datë 16 tetor 2014, seminarin me temë " Përgatitja e planit strategjik", "Procesi i udhëheqjes së tezës së programit master dhe hapat e diplomimit".
Seminari u drejtua nga Prof. Dr. Güngör Turan. Seminari u organizua në formë bashkëbisedimi dhe vuri theksin mbi filozofinë që duhet të adoptojnë institucionet për të kuptuar rëndësinë e çështjeve në diskutim.
Në pjesën e parë të seminarit u diskutua mbi planin strategjik, ku pjesëmarrësit diskutuan lidhur me rëndësinë e hartimit të një plani strategjik në nivel njësie dhe institucioni, si një mjet efektiv për matjen e performancës së institucionit. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me metodologjinë e hartimit të planit strategjik dhe në mënyrë të veçantë me identifikimin dhe vendosjen e objektivave strategjikë dhe treguesve të cilët duhet të jenë realistë, të matshëm dhe të arritshëm për të siguruar një mënyrë efektive për vlerësimin e progresit dhe veprimtarisë së institucionit.
Tema e dytë e seminarit ishte procesi i udhëheqjes së tezës së masterit dhe hapat e diplomimit. Lektori udhëhoqi diskutimin, duke shkëmbyer eksperiencën e tij me pjesëmarrësit, lidhur me hapat më të rëndësishëm të procesit, duke filluar me koordinatorët e programit dhe përgjegjësitë e tyre, rëndësinë e rregulloreve të qarta dhe lehtësisht të kuptueshme, kriteret e pranimit dhe përzgjedhjes si një mjeti efektiv për arritjen e cilësisë së diplomimit, si edhe rolin e rëndësishëm që duhet të ketë komiteti shkencor në këtë proces dhe, rrjedhimisht nevojën e fuqizimit të këtij organi. Një tjetër aspekt që u diskutua me interes nga pjesëmarrësit, ishte dhe nevoja e sigurimit të një udhëheqësi dhe të një udhëheqjeje të efektshme.